Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH po kryejnë inspektime higjieno-sanitare në çerdhe, kopshte, shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, universitete si dhe konviktet në funksion të tyre.  Bazuar në Programin Vjetor të Inspektimeve, institucionet arsimore, çerdhe, kopshte, shkolla fillore, shkolla 9-vjeçare, shkolla të mesme, universitete, konvikte universitare etj., përcaktohen si subjekte të cilat duhet të inspektohen 2 herë në vit nga ana e ISHSH.

 

Inspektimet e tanishme janë paraprirë nga ato të muajve mars, prill dhe maj të cilat shërbejnë për të parë gjëndjen e institucioneve arsimore dhe për të lënë detyra të cilat realizohen gjatë muajve të verës. Në të gjithë vendin, në muajt mars – prill – maj 2023, janë kryer 1974 inspektime dhe 48 ri-inspektime në institucione arsimore publike dhe jo publike parashkollore, institucione arsimore shkollore, institucione të arsimit të lartë dhe konvikte në funksion të tyre.

 

Në muajt shtator dhe tetor do të kryhet inspektimi i dytë në institucione arsimore me objekt realizimin e detyrave të lëna si dhe inspektimin e dokumentacionit higjieno sanitar të subjektit e të personelit.

 

Pjesë e inspektimit do të jetë edhe monitorim rigoroz i çerdheve, kopshteve dhe shkollave për kartelat e vaksinimit të fëmijëve.