Inspektorati
i Përgjithshëm zhvilloi takimin e rradhës në kuadër të reformës së
inspektimeve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Inspektoratit Shtetëror
Shëndetësor.
Z.
Dashnor Sula, Inspektor i Përgjithshëm, theksoi në hapjen e takimit se
modernizimi i sistemit të inspektimeve është thelbësor për garantimin e
standardeve të sigurisë dhe për mbrojtjen e shëndetit publik. Ai u shpreh qartë
se do të ketë tolerancë zero për abuzuesit, ndërsa çdo shkelje do të përballet
me masa të menjëhershme ligjore.
Inspektori
i Përgjithshëm nënvizoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj shkeljeve që
lidhen me:
•
kontrollin e ujit të pijshëm;
•
ofrimin e shërbimeve shëndetësore nga persona të
paautorizuar ose të pakualifikuar, përfshirë studentë apo personel pa
kompetencat e duhura;
•
tregtimin e produkteve medicinale dhe kozmetike në
markete;
•
funksionimin e farmacive sezonale që nuk plotësojnë
kushtet higjieno-sanitare;
•
çdo rast të ilaçeve kontrabandë;
•
problematika që lidhen me rrezatimin dhe mbetjet
spitalore.
Kryeinspektorja
e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, znj. Luneda Sufali, në fjalën e saj
falenderoi Inspektoratin e Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu
angazhimin e strukturave të inspektoratit shëndetësor në garantimin e zbatimit
të legjislacionit në fushën e shëndetit publik, përmes forcimit të mbikëqyrjes
inspektuese, përmirësimit të proceseve administrative dhe kontribuimit të mëtejshëm
në përmirësimin e standardeve të shërbimeve shëndetësore në vend.
Gjithashtu
Inspektorati i Përgjithshëm prezantoi:
•
Portali Sigurt.gov.al, një platformë e
re digjitale ku qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të raportojnë
shkelje ligjore. Platforma do të ofrojë mekanizma gjurmueshmërie për ndjekjen e
çdo rasti të raportuar, duke rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë
institucionale.
•
Linja e Gjelbër 0800, një kanal
komunikimi i dedikuar për qytetarët, përmes të cilit ata mund të sinjalizojnë
shkelje të ndryshme, në mënyrë anonime ose me identitet.
Takimi u mbyll me angazhimin për të çuar përpara
reformën në inspektime, me synimin për një sistem kontrolli më transparent, më
efektiv dhe në shërbim të mbrojtjes së shëndetit publik.
