Hiqja maskën joshjes – duke kundërshtuar varësinë nga duhani dhe nikotina
Çdo vit, më 31 maj, në kuadër të Ditës Botërore Pa Duhan, institucionet shëndetësore, organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet publike në mbarë botën bashkojnë përpjekjet për për të rritur ndërgjegjësimin mbi efektet e dëmshme dhe vdekjeprurëse të përdorimit të produkteve të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit pasiv si dhe për të dekurajuar përdorimin e produkteve të duhanit në çdo formë.
Tema e vitit 2026 “Hiqja maskën joshjes – duke kundërshtuar varësinë nga duhani dhe nikotina”, synon të nxjerrë në pah strategjitë e industrive të duhanit dhe nikotinës, të cilat prodhojnë dhe promovojnë produkte të krijuara për të krijuar varësi sidomos te të rinjtë.
Produktet e duhanit dhe nikotinës shpesh prezantohen përmes paketimeve tërheqëse, aromave të ndryshme dhe nëpërmjet marketingu agresiv duke krijuar perceptimin e gabuar se ato janë më pak të dëmshme. E vërteta është se nikotina mbetet një substancë me varësi të lartë, ndërsa përdorimi i duhanit vijon të jetë një nga faktorët kryesorë në botë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së parandalueshme.
Përdorimi i duhanit përbën faktor madhor rreziku për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare; kancerit të mushkërive dhe lloje të tjera të kancerit; sëmundjeve kronike të frymëmarrjes; dëmtimit të sistemit imunitar; komplikacione gjatë shtatzënisë dhe dëmtimin e shëndetit të fëmijëve.
Ekspozimi ndaj duhanpirjes pasive mbetet një rrezik i madh për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Mbrojtja dhe parandalimi i përdorimit të produkteve të duhanit është një përgjegjësi dhe detyrim për të gjithë. Çdo individ, familje, shkollë, vend pune dhe institucion publik apo jo publik ka detyrimin moral dhe ligjor për të kontribuar në krijimin e mjediseve pa duhan. Ndërgjegjësimi nuk është vetëm një akt informimi, por një thirrje për veprime konkrete: Respektimi i ligjit, mbështetja e politikave parandaluese dhe promovimi i stileve të shëndetshme të jetesës janë hapa të domosdoshëm për të reduktuar përdorimin e produkteve të duhanit dhe ndikimin e tyre në shëndetin e popullatës.
Çdo hap drejt një jete pa duhan është një investim për një shoqëri më të shëndetshme dhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj. Industritë e duhanit dhe nikotinës i projektojnë produktet e tyre për t’i futur të rinjtë në një cikël varësie. Varësia nga duhani dhe nikotina mund të mposhtet.
