23 mars 2023 – Në takimin me delegacionin e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës të drejtuar nga Zv. Ministri Dr. Arsim Berisha, diskutuam për bashkëpunimin mes Inspektorateve Shëndetësore të të dy vendeve dhe digjitalizimin e sistemit të inspektimit në Kosovë, sistem i cili zbatohet me sukses në Shqipëri.

 

Kryeinspektorja Shëndetësore e Republikës së Shqipërisë, Znj. Luneda Sufali propozoi krijimin e grupeve të përbashkëta për përgatitjen e listë verifikimeve që do të përdoren në sistemin digjital të inspektimeve nga Inspektorati Shëndetësor i Kosovës, si dhe dhënien e ndihmesës gjatë inspektimeve digjitale në terren, propozime të cilat u mirëpritën nga kolegët kosovarë.

 

Bashkëpunimi ndërmjet dy Inspektorateve bazohet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar në Tiranë më datë 1 qershor 2016 ndërmjet Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Shqipëri dhe Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Kosovë dhe në vazhdimësi të takimeve të vazhdueshme nga dy inspektoratet me qëllim rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore, dhe jo vetëm, në respektim të normave të shëndetit publik.