Inspektorët e Task-Forcës ndërinstitucionale kanë zbarkuar në Lungomare ku dhe kanë nisur kontrollet për zbatimin e kushteve higjieno-sanitare gjatë sezonit turistik. 

Pjesë e inspektimit janë bërë edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe ajo e Turizmit, Mirela Kumbaro, ku kanë konfirmuar se janë vendosur në gatishmëri të shtuar ekipet mjekësore, për të siguruar për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Ministret theksuan se do ketë zero tolerancë ndaj subjekteve, në rast të mos respektimit të kushteve higjieno-sanitare. 

Duke vlerësuar punën e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ministrja Manastirliu bëri të ditur se janë më shumë se 950 subjekte të inspektuara. 

“Vetëm për qershorin janë 350 subjekte dhe jo vetëm në bregdet, sepse kjo është një punë rutinë. Por nga ana tjetër edhe sa i përket masave
që po marrim për sezonin turistik, kjo është një situatë gatishmërie. Për ne është shumë e rëndësishme që bashkë me  inspektorët e ISHSH-së,
gjithashtu edhe me inspektorët e tjerë të AKU-së apo Agjencisë së Mjedisit, të mundet të bashkërendojmë forcat në mënyrë që inspektimi të
kryhet për të rekomanduar masa për përmirësim, por edhe masa administrative, të cilat gjatë kësaj periudhe janë rreth 20 masa. Duhet
të jemi të vendosur për të mos pasur asnjë tolerancë, sa i përket shkeljeve që kanë të bëjnë me masat higjieno-sanitare”, shtoi ministrja
Manastirliu.

Ndërsa ministrja Kumbaro vlerësoi punën e taskforcës dhe kërkoi bashkëpunimin e bizneseve në këtë pikë të sezonit turistik.

“Gjëja e mirë e taskforcës është që janë të koordinuar mes tyre, sepse nga ana tjetër, nuk duam të bezdisim bizneset dhe të jemi më prezent se sa duhet, por po kërkojmë bashkëpunimin e tyre”, deklaroi ministrja Kumbaro.